Ponte Prizreni ka shënuar fitore ndaj Golden Eagle Ylli si mysafir 62:71 (9:24, 26:13, 19:18, 8:16), në kuadër të javës së tetë të Prince Caffe Superligës së Kosovës në basketboll.
Ndeshjen më mirë e nisën bindshëm mysafirët, duke fituar çerekun e parë me rezultat 9:24. Por, therandasit nuk kishin hyrë për tu dorëzuar dhe rikthehen në periodën e dytë, duke e fituar 26:13, për të shkuar në pushimin mes dy pjesëve 35:37.
Lojë më e barabartë u zhvillua në periodën e tretë, 19:18, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 44:45, duke e bërë ndeshjen shumë interesante.
Megjithatë, në 10 minutat e fundit, prizrenasit ishin më të mirë, 8:16, për të triumfuar në fund 62:71.
Griffin Rame ishte më i dalluari te Golden Eagle Ylli me 20 pikë, nëntë kërcime dhe tetë asistime, kurse Arti Hajdari me 22 pikë, shtatë kërcime e gjashtë asistime dhe Joshua Martin me 13 pikë e 15 kërcime ishin më të dalluarit te Ponte Prizreni.
Golden Eagle Ylli ka katër fitore dhe katër humbje, kurse Ponte Prizreni pesë fitore dhe tri humbje.