Vëllaznimi ka shënuar fitoren më të rëndësishme në këtë kampionat. Kuqezinjtë kanë mundur Ponte Prizrenin 82:79 (21:16, 25:22, 20:23, 16:18), në javën e 27-të të Prince Caffe Superligës. Kjo fitore i siguron kuqezinjve vendin e gjashtë, që dërgon në “Play-off”.
Takimi ka qenë shumë interesant, ndërsa të dy skuadrat luftuan nga fillimi deri në fund, pasi sfida ishte shumë e rëndësishme. Vendasit për një nuancë ishin më të mirë në pjesën e parë, që e fituan 46:38.
Në periudhën e tretë vendasit kishin epërsi deri në 22 pikë, 62:40, por më pas mysafirët u rikthyen për 66:61. Dhjetë minutat e fundit ishin shumë interesant me mysafirët që bëjnë përmbysjen e madhe për të kaluar në epërsi 77:79, por vendimtar ishte Burim Zekiqi me treshe për 80:79, ndërsa rezultati përfundimtar ishte 82:79.
Te Vëllaznimi u dalluan Damonte Dodd me 15 pikë, 17 kërcime e pesë asistime dhe Jordan Harris me 24 pikë, katër kërcime dhe gjashtë asistime, kurse te Ponte Prizreni më i miri ishte Wayne Arnold me 27 pikë, pesë kërcime e katër asistime.
Vëllaznimi tani ka nëntë fitore e 18 humbje, kurse Ponte Prizreni tetë fitore e 19 humbje, por kuqezinjtë i kanë mundur katër herë prizrenasit në këtë edicion. Ponte Prizreni do të luajë në “Play-out” me finalistin e Ligës së Parë.