Astera Tuhina është një nga basketbollistet më të talentuara të Kosovës dhe shpresa për të ardhmen. Ajo është pjesë e Kosovës A, ndërsa në verën e kaluar ishte edhe pjesë e Kosovës U20, duke kujtuar suksesin ndaj Kroacisë.
Astera gjithashtu ka qenë pjesë e grupmoshave të Kosovës, ndërsa për herë të dytë mori pjesë me Përfaqësuesen A në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla, duke hyrë në Top 5.
Në vitin 2022 ajo bëri një hap të madh në karrierën e saj, duke kaluar në SHBA te Washington State University, NCAA Divizioni 1.
Astera Tuhina në një intervistë për faqen zyrtare të FBK-së flet për vitin 2022 dhe synimet për të ardhmen.
Si ka qenë viti 2022 për juve?
Vitin 2022 e cilësoj si vitin më të suksesshmin deri më tani. Nënshkrimi me Washington State University dhe fillimi i karrierës në NCAA Divizioni 1 ka qenë diçka që e kam dëshiruar gjithmonë.
Çfarë do të thotë të jesh në Top 5 të Evropianit?
Të jem në Top 5 të Evropianit me Kosovën A, në moshë kaq të re për mua ishte diçka e papritur. Gëzimin që e përjetova në ato momente është i papërshkrueshëm.
Çka do të thotë për ty të veshësh fanellën e Kosovës?
Mendoj se, është nderi më i madh i një sportisti. Është privilegj i madh të veshësh fanellën e shtetit tënd.
Cili është mesazhi për vajzat e reja që duan të jenë pjesë e Kosovës?
Mesazhi im është: me punë dhe vullnet, ëndrrat bëhen realitet.
Këtë vit keni kaluar në Washington State Cougars. Sa ishte i rëndësishëm ky hap në karrierën tuaj?
Ky hap është shumë i rëndësishëm për mua, si në basketboll, ashtu edhe në shkollim. Të jesh pjesë e një ekipi kaq të fortë dhe të mësosh nga trajnerët e këtij niveli është kënaqësi e madhe.
Cilat janë synimet për të ardhmen?
Për momentin përqendrimi im është të jap maksimumin në të tashmen dhe mirëpres çdo sukses të së ardhmes.