Xhiroja e 13-të në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll do të dhurojë shumë sfida interesante, pasi garat në elitë janë emocionuese dhe të barabarta e dramatike.
Ndeshja e parë zhvillohet ndërmjet Vëllaznimit dhe Ponte Prizrenit. Kuqezinjtë kanë pesë fitore e shtatë humbje, kurse prizrenasit gjashtë fitore e pesë humbje.
Në këtë ndeshje, Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me UN Women Kosovo do ta organizojnë një aktivitet në kuadër të “16 ditë të aktivizmit” dhe ndalimit të dhunës ndaj gruas.
Takimi i dytë është mes kampionit Golden Eagle Yllit dhe nënkampionit Trepçës. Ylli pas eliminimit në grupet e FIBA Europe Cup do të përqendrohet tërësisht në garat vendore. Therandasit pas katër humbjeve radhazi, ka gjashtë fitore radhazi dhe është në kërkim të fitores së shtatë, kurse mitrovicasit kanë pasur ‘luhatje’ me gjashtë fitore e gjashtë humbje, ndërsa takimi pritet të jetë shumë interesant mes skuadrave që kanë ambicie titullin e kampionit.
Të dielën përballen rivalët e vjetër, Peja dhe Bashkimi. Verdhezinjtë kanë nëntë fitore e dy humbje, kurse Portokallezinjtë katër fitore e tetë humbje.
Ndeshja e fundit e kësaj xhiro zhvillohet ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Rahovecit. Prishtinasit kanë tetë fitore e katër humbje, kurse Vreshtarët janë në një pozitë më të pa lakmueshme me dy fitore e dhjetë humbje.
Kjo është xhiro e fundit para ndeshjeve të Superkupës së Kosovës, që organizohet nga 7 deri më 11 dhjetor në Prishtinë.
Prince Caffe Superliga – Java 13
E shtunë
17:00 Vëllaznimi - Ponte Prizreni
19:00 Golden Eagle Ylli - Trepça
E diel
17:00 Peja - Bashkimi
19:00 Sigal Prishtina – Rahoveci