Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) për herë të parë ka fituar projekt në Bashkimin Evropian, më saktësisht nëpërmjet programeve të Erasmus+.
Projekti i fituar është PROMISE (Një Hap Përpara për Basketbollin e Vajzave dhe Grave). Objektivi i përgjithshëm i projektit "PROMISE" është të promovojë përfshirjen dhe pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në basketboll në të gjitha nivelet e përgjegjësive nëpërmjet hartimit, zbatimit dhe vlerësimit të një programi gjithëpërfshirës të ndërhyrjes.
Projekti "PROMISE" përbëhet nga 7 institucione që mbulojnë 6 vende evropiane siç janë: Spanja, Irlanda, Kosova, Portugalia, Franca dhe Bullgaria.
Programi ka një mbulim të gjerë dhe të larmishëm gjeografik që përmirësohet më tej nga rrjetet e gjera sportive të organizatave pjesëmarrëse, të cilat mund të shfrytëzojnë sinergjitë me iniciativat e tjera lokale dhe rajonale, si dhe me projektet evropiane në këtë fushë. Partneriteti është një kombinim i një organizate akademike, përgjegjëse për projektimin dhe vlerësimin e mjeteve, 5 federata kombëtare të basketbollit (Franca, Bullgaria, Kosova, Irlanda, Portugalia) dhe 1 federatë rajonale e basketbollit, Federata e Basketbollit e Katalunisë, e cila edhe udhëheqëse e projektit.
Projekti do të zhvillojë fokus grupe duke përfshirë të gjitha federatat pjesëmarrëse dhe 216 akterë evropianë për të vlerësuar situatën aktuale të vajzave dhe grave në basketboll, si dhe metodologjinë e programit “PROMISE” që do të zbatohet në të 6 vendet që përbëjnë konsorciumin. Në përgjithësi, nga projekti “PROMISE” do të përfitojnë gjithsej 150 pjesëmarrës të ndryshëm: sportiste, trajnere, gjyqtare, menaxhmenti dhe stafi i federatës, si dhe 950 persona që pritet të trajnohen përmes platformës së të mësuarit MOOC (kurse masive të hapura në internet).
Numri total i sportistëve të përfshirë në programin “Agjentët transformues” që përbën thelbin e “PROMISE” do të jetë 500.
“PROMISE” do të zhvillojë gjithashtu 4 ngjarje, për të mbledhur pjesëmarrës dhe për të shpërndarë rezultatet e aktiviteteve të mëparshme dhe për të organizuar të reja me një numër total prej 325 pjesëmarrësish në të gjitha ngjarjet e zhvilluara gjatë projektit.
Duhet theksuar se Federata e Basketbollit e Kosovës është propozuar nga FIBA dhe kompania B.Link Barcelona Strategic Projects për të qenë pjesë e këtij projekti falë punës dhe përkushtimit të FBK-së për ngritjen e nivelit të basketbollit të vajzave dhe grave si në fushën e lojës, po ashtu edhe jashtë saj.
Projekti do të fillojë në Janar 2023 dhe do të përfundojë në Qershor 2025.