Në javën e katërt të Superligës së Femrave, derbin e ka fituar Prishtina, duke e mundur Penzën me shifrat 75:70.
Basketbollistja më e dalluar dhe më meritorja për fitoren e prishtinaseve ishte Sarah Mgbeike me dyshifror të dyfishtë, 31 pikë e 20 kërcime, ndërsa kishte edhe një asistim, si dhe gjashtë topa të vjedhur. Mgbeike është njëra nga basketbollistet më të mira në Superligën e Femrave, ndërsa kjo ishte hera e parë që zgjidhet MVP e javës në këtë edicion.
Ajo u ndihmua nga Agnesa Rrahmani me 14 pikë, nëntë kërcime dhe dy asistime, kurse te Penza, lojtarja më e dalluar ishte Antoinette Thompson me 27 pikë, gjashtë kërcime e tre asistime.
Bashkimi regjistroi fitoren e katërt në katër ndeshje, duke mundur në udhëtim Trepçën, ku spikati Ellyn Lee Stoll me 28 pikë, gjashtë kërcime dhe një asistim.
United Basketball ka shënuar fitoren e dytë, duke ia shkaktuar humbjen e katërt radhazi Vëllaznimit, kurse më e mira te gjilanaset ishte Ireyon Keith me 16 pikë e 24 kërcime dhe katër asistime.
Top 5
Sarah Mgbeike (Prishtina) 31 pikë, 20 kërcime, 1 asistim
Ireyon Keith (United Basketball) 16 pikë, 24 kërcime, 4 asistime
Ellyn Lee Stoll (Bashkimi) 28 pikë, 6 kërcime, 1 asistim
Antoinette Thompson (Penza) 27 pikë, 6 kërcime, 3 asistime
Agnesa Rrahmani (Prishtina) 14 pikë, 9 kërcime, 2 asistime