Xhiroja e parë në Superligën e Femrave dhuroi ndeshje interesante.
Të premten, Bashkimi shënoi fitore ndaj Penzës, 71:67, në derbin e xhiros së parë.
Prishtina ashtu si është pritur shënoi fitore ndaj Vëllaznimit me rezultat 91:55, në ndeshjen që faktikisht u zhvillua në Gjakovë. Skuadra prishtinase ishte më e mirë nga fillimi deri në fund për të shënuar fitore të merituar, ku u dalluan Sarah Mgbeike me 23 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime dhe Era Shatri me 13 pikë e 12 kërcime, kurse te Vëllaznimi më e mira ishte Malaya Kendrick me 22 pikë e tetë kërcime.
United Basketball shënoi fitoren e parë në elitë, pas hyrjes nga Liga e Parë. Skuadra gjilanase shënoi fitore në udhëtim ndaj Trepçës, 59:62, ku pesë pikë radhazi në fund nga gjilanaset bënë që të shënojnë fitoren e parë këtë edicion. Anila Selmani ishte më e dalluara te mysafiret me 27 pikë, kurse Marshanique Hall te vendaset me 21 pikë e tetë kërcime.