Xhiroja e dytë në Prince Caffe Superligën e Kosovës do të sjellë ndeshje shumë interesante.
Ndeshja e parë do të zhvillohet ndërmjet kampionit aktual, Golden Eagle Yllit dhe kampionit të trembëdhjetëfishtë të Kosovës, Sigal Prishtinës. Te Ylli rikthehet trajneri Adis Beciragiq, i cili mori pjesë në Kampionatin Evropian të basketbollit me Bosnje e Hercegovinën, kurse te Prishtina u largua trajneri Ekrem Memnun. Të dy skuadrat pësuan në xhiron e parë. Therandasit pësuan nga Rahoveci me rezultat 90:88, kurse prishtinasit nga Peja 70:76.
Sfida e dytë e ditës së shtunë zhvillohet mes Ponte Prizrenit dhe Pejës. Prizrenasit kërkojnë fitoren e parë në këtë edicion, pas humbjes nga mitrovicasit në xhiron e parë, kurse pejanët hyn pas fitores ndaj kryeqytetasve dhe do të mundohen të vazhdojnë serinë pozitive.
Trepça është në kërkim të fitores së dytë, pas asaj ndaj Ponte Prizrenit, ku do të përballet me rivalin e vjetër të basketbollit të Kosovës, Bashkimin, që po ashtu e nisi kampionatin me fitore (duke mundur Vëllaznimin). Përballja pritet të jetë interesante, ndërsa interesimi këtë edicion për basketboll në qytetin e Mitrovicës është shumë i madh.
Takimi i fundit është mes Vëllaznimit dhe Rahovecit. Kuqezinjtë janë rikthyer pas një viti në Superligë dhe synojnë të mbesin në elitën e basketbollit, ndërsa Vreshtarët hyn për fitoren e dytë në këtë edicion.
Java 2
E shtunë
17:00 Golden Eagle Ylli - Sigal Prishtina
19:00 Ponte Prizreni - Peja
E diel
17:00 Trepça - Bashkimi
19:00 Vëllaznimi - Rahoveci