Skuadrat e elitës së meshkujve po vazhdojnë me përgatitje para fillimit të edicionit të ri, ndërsa Prince Caffe Superliga do të fillojë fundjavën e ardhshme.
Bardhekaltrit janë duke u stërvitur intensivisht nën urdhrat e trajnerit të rikthyer, Ekrem Memnun.
Te kryeqytetasit është rikthyer edhe Dardan Berisha, i cili ka folur për përgatitjet. “Deri më tani kanë shkuar shumë mirë. Kemi zhvilluar disa ndeshje përgatitore, ndërsa atmosfera është e mirë. Po japim më të mirën e mundshme para fillimit të edicionit, që është shumë afër”, është shprehur Berisha për faqen zyrtare të FBK-së.
Bardhekaltrit kanë bërë disa ndryshime dhe synojnë të rikthehen te trofetë, ndërsa do të marrin pjesë edhe në kualifikimet e FIBA Europe Cup. “Jemi të motivuar për fillimin e edicionit të ri. Me përgatitjet që i kemi bërë jemi gati dhe shpresojmë në paraqitje të mira në të gjitha garat që do të marrim pjesë”, ka shtuar tutje kapiteni i Kosovës.
Prishtina në FIBA Europe Cup është kualifikuar në gjysmëfinale, ku e pret fituesin e ndeshjes BC Kalev Cramo dhe Cedevita Junior. “Këtë vit Superliga do të jetë shumë interesante, pasi edhe skuadrat tjera janë përforcuar dhe do të jetë një kampionat shumë i luftuar dhe rivalizues. Edhe garat janë të rëndësishme për ne, ku sigurisht synojmë paraqitje të mira”, nënvizoi Dardan Berisha.
Sigal Prishtina ndeshjen e parë në elitë e zhvillon ndaj Pejës në kryeqytet.