Basketbollisti i talentuar Bardh Istrefi këtë vit është paraqitur me dy grupmoshat në Përfaqësueset e Kosovës. Istrefi ishte pjesë e U-20 dhe U-18, ku në këtë të fundit ishte shënuesi më i mirë i kampionatit.
Në një intervistë për faqen zyrtare të FBK-së Bardhi ka folur rreth vitit 2022. “Viti 2022 për mua ka qenë një vit sfidues. Në janar të këtij viti kam shkuar në Gjermani për te luajtur në ekipin Giessen 46 Ers, që i bie në gjysmë të edicionit. Më ka marrë kohë pak të njihem me ekipin, mënyrën e lojës, aksionet, etj. Pastaj u ktheva në Kosovë që të luaj për U20 dhe U18 në Kampionatet Evropiane.”
Tutje Istrefi ka folur edhe rreth Kampionatit U-18, ku u dallua si shënuesi më i mirë i gjithë kampionatit me 156 pikë gjithsej. “Mendoj se si shënuesi më i mirë do të më jep motiv më shumë që të vazhdoj tutje. Si ekip kemi mundur të luajmë më mirë. Kemi mundur që së paku edhe dy ndeshje t’i fitojmë”, ka thënë Istrefi për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës.
I pyetur që nëse ëndërron që ta vesh fanellën e Kosovës A ai është shprehur: “Dëshirat janë maksimale, por të shohim se çka do të na sjell edhe e ardhmja. Tash për tash jam i fokusuar që të zhvillohem sa më shumë si lojtar dhe të kontribuoj në ekipin ku luaj. Do të ishte kënaqësi dhe nder e po ashtu edhe përgjegjësi të luash për Përfaqësuesen, pavarësisht në cilin nivel, e aq me shumë për Përfaqësuesen A”.
Bardh Istrefi është pjesë e Giessen 46 Ers U19 që garojnë në ligën NBBL dhe po ashtu për ekipin e dytë të seniorëve në ligën ProB.