Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) prej 08 deri më 13 Gusht 2022 (në ora 12:00) e ka hapur Thirrjen për Aplikim për Plotësim të Kritereve për Licencim të Klubeve të Superligës së Meshkujve dhe Superligës së Femrave për edicionin 2022/23.
Federata e Basketbollit e Kosovës tashmë i ka njoftuar ekipet e Superligës së Meshkujve, dhe Superligës së Femrave, kurse afati i caktuar nga FBK (13 Gusht, ora 12:00) vlen për të gjitha klubet e Superligës së Meshkujve dhe Superligës së Femrave pa asnjë përjashtim. Skuadrat të cilat pas afatit i dërgojnë materialet për plotësim të kritereve, nuk do të merren parasysh.
Komisioni për Licencim i FBK-së më 15 Gusht do t’i shqyrtojë aplikacionet e dërguara nga klubet në FBK, kurse më 16 gusht, Bordi i FBK-së do t’i shqyrtojë aplikacionet e propozuara për licencim nga Komisioni për Licencim, ndërsa më 17 e 18 Gusht do të hapet afati për ankesa në FBK (nëse do të ketë të tilla), të cilat do të shqyrtohen nga Komisioni Arbitrar i FBK-së më 19 Gusht. Ky i fundit do t’ia dërgoj Bordit të FBK-së propozimet dhe kështu më së largu më 22 Gusht do të miratohet lista përfundimtare e klubeve të licencuara për të garuar në edicionin e ri.