Kosova ka pësuar humbje nga Malta me rezultat 61:68 (12:17, 18:17, 13:15, 18:17), në sfidën e parë të grupeve në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla që po zhvillohet në Qipro.
Vashat e Kosovës krijuan një epërsi të lehtë në fillim, 6:2, por më pas kundërpërgjigjen maltezet, që kaluan në epërsi 7:14, ndërsa e fituan çerekun e parë 12:17. Periudha e dytë ishte tërësisht e barabartë, që dëshmon rezultati 18:17, me Kosovën që afroi rezultatin në 30:32, ndërsa pjesa e parë përfundoi 30:34.
Malta e nisi më mirë pjesën e dytë, duke shkuar në epërsi prej tetë pikësh, 32:40 dhe gjatë gjithë periodës së tretë ishte në epërsi, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 43:49. Në dhjetë minutat e fundit, vashat dardane arritën të kalojnë në epërsi 58:57, megjithatë, në momentet vendimtare, Malta ishte më e mirë dhe fitoi 61:68. Te Kosova u dalluan Saranda Daci me 18 pikë e tetë kërcime dhe Astera Tuhina me 17 pikë e gjashtë kërcime.
Ndeshjen e radhës, Kosova e zhvillon të mërkurën ndaj Andorrës, nga ora 15:00.