Përfaqësuesja A e Meshkujve ka filluar tash e disa ditë përgatitjet për ndeshjen me Danimarkën, që do të zhvillohet më 30 qershor.
Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha ka thënë se është një ndeshje e vështirë, por që do të luftojnë deri në fund për fitore. "Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne do të udhëtojmë të motivuar. Dihet përgjegjësia dhe nderi kur e përfaqëson Kosovën. Udhëtojmë për të marrë një rezultat sa më të mirë, por kuptohet nuk do të jetë lehtë. Danimarka do të jetë vendase dhe do ta ketë përkrahjen e publikut”, është shprehur Berisha për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Kapiteni Berisha shpreson se, edhe në këtë ndeshje do ta kenë përkrahjen e “Dardanëve” që janë në Danimarkë dhe gjithandej. Krahas privilegjit si kapiten ky epitet është edhe përgjegjësi: “Është edhe privilegj edhe përgjegjësi shumë e madhe , ëndërr për secilin lojtar është përfaqësimi i shtetit të tij. Me krenari e barti shiritin e kapitenit dhe shpresojmë që do ta mbajë edhe për disa kohë dhe në fund ta dorëzojë në duar të sigurta".
Kosova ndeshjen ndaj Danimarkës e zhvillon më 30 qershor si mysafire. Në ndeshjen e parë “Dardanët” kishin arritur të fitonin me rezultat 78:73, ndeshje e cila u zhvillua në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.