Të enjten mbrëma para ndeshjes së dytë finales mes Trepçës dhe Golden Eagle Ylli, është nderuar me mirënjohje, vëzhguesi Nexhdet Hoxha. Ai ka marrë një plaketë falënderimi nga kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu.
Hoxha ka qenë gjyqtar i njohur i basketbollit dhe vëzhgues për vite të tëra. Nexhdet Hoxha provimin për gjyqtar fillestar të basketbollit e ka dhënë në Beograd, ku ka studiuar, më 1977, si 20 vjeçar.
Ka gjykuar ndeshje të ligës së Beogradit, kurse pasi ka fituar thirrjen e Gjyqtarit Republikan edhe ndeshje të Ligës së Serbisë, të grupmoshave të ndryshme. Më tu kthyer në Kosovë, në vitet e 80-ta për një kohë ka gjykuar edhe ndeshje të Ligës së Kosovës.
Si delegat i ndeshjeve fillon të vitet e para të pasluftës, fillimisht në ligat e kategorive të reja, në kohën kur po ashtu mbante pozita zyrtare edhe në KB Vëllaznimi.
Që nga sezoni 2005/06 ka qenë vazhdimisht delegat i ndeshjeve të Superligës dhe për këtë kohë është deleguar në ndeshje finale të play-offit, Kupës, turneve ndërkombëtarë në Kosovë dhe ngjarjeve tjera të rëndësishme.
Hoxha, së bashku me Lulzim Malokun, kanë qenë delegatët e parë kosovarë të Ligës Ballkanike BIBL, garës së parë ndërkombëtare ku kanë marrë pjesë klubet e Kosovës.