Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Rahovecit me rezultat 69:72 (23:14, 11:17, 16:21, 19:20), në xhiron e 27-të në Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll.
Pas një fillimi të barabartë 9:9, vendasit filluan shkëputjen duke pasur epërsi deri në nëntë pikë, 21:12, ndërsa e fituan çerekun e parë 23:14. Por, therandasit edhe pse kanë siguruar vendin e parë në renditje, nuk u dorëzuan dhe arritën të kalojnë në epërsi 30:31, ndërsa pjesa e parë përfundoi me shifrat 34:31.
Lojë interesante dhe me rikthime u zhvillua në periudhën e tretë, ku herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjetra, pa arritur shkëputjen e madhe, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 50:52. Në dhjetë minutat e fundit, liderët kishin epërsi deri në 11 pikë, 57:68, që ishte më e larta, por më pas kishin një rënie që e shfrytëzuan Vreshtarët, duke ngushtuar rezultatin në 69:71, por pa arritur të bëjnë më shumë dhe Ylli triumfuan 69:72.
Te Rahoveci u dallua Musab Mala me 30 pikë, kurse te Golden Eagle Ylli u dalluan Chris Harris me 15 pikë e 12 pikë dhe Mikaile Tmusiq me 18 pikë e shtatë kërcime.
Rahoveci ka 11 fitore e 16 humbje, aq sa ka edhe Bashkimi, kurse Golden Eagle Ylli ka 21 fitore e gjashtë humbje.