Vëllaznimi ka shënuar fitore ndaj Prishtinës së Re me rezultat 89:72 (20:12, 27:22, 18:18, 24:20) në finalen e parë të “Play-off”-it në Ligën e Parë të meshkujve, ndërsa finalja e dytë zhvillohet në kryeqytet të hënën mbrëma. Skuadra që shënon dy fitore inkuadrohet në Superligë, ndërsa finalistja do të luajë me vendin e shtatë të “Play-off”-it për një vend në elitë edicionin e ardhshëm.
Kuqezinjtë e filluan mirë ndeshjen, duke pasur epërsi konstante në çerekun e parë, që e fituan 20:12. Skuadra nga Gjakova vazhdoi me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, duke ngritur epërsinë, kurse shkuan në pushim me rezultat 47:34.
Në periodën e tretë rikthehen prishtinasit, që ngushtojnë shifrat në 47:44, megjithatë, vendasit nuk lëshuan pe dhe sërish u shkëputën, ku shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 65:52. Në dhjetë minutat e fundit, kryeqytetasit u munduan të bëjnë rikthimin e madh, por këtë nuk e lejoi Vëllaznimi, që nuk ka asnjë humbje në Ligën e Parë, duke fituar ndeshjen e parë 89:72.
Te Vëllaznimi u dallua Besnik Azemi me 25 pikë e 13 kërcime, kurse te Prishtina e Re u dallua Dion Haxhosaj me 16 pikë e 18 kërcime.