Xhiroja e fundit në Ligën e Parë, kush do të kualifikohet në “Play-off”?
Të mërkurën dhe të premten do të zhvillohet xhiroja e 18-të në Ligën e Parë të Meshkujve, ku do të përcaktohet se kush do të kualifikohet në “Play-off”, ku do të luajnë vendi i parë ndaj të katërtit, dhe i dyti me të tretin. Skuadrat fituese do të kualifikohen në finale, ku më e mira inkuadrohet direkt në Superligë, kurse finalisti do të luajë me vendin e shtatë të Superligës, për një vend në elitë për edicionin e ardhshëm.
Takimi i parë do të jetë ndërmjet Boreas dhe Prishtinës së Re. Pejanët kanë tetë fitore e nëntë humbje, kurse prishtinasit kanë 11 fitore e gjashtë humbje, duke u renditur në vendin e tretë.
Ndeshja e dytë e së mërkurës do të jetë mes Feronikelit dhe Vëllaznimit, skuadrës së fundit në renditje dhe liderit. Drenasit kanë një fitore e 16 humbje, kurse kuqezinjtë kanë 17 fitore në po aq ndeshje të zhvilluara, ku është bindshëm në vendin e parë.
AS Prishtina do të përballet me Happy Dukagjinin, ku prishtinasit kanë pesë fitore e 12 humbje, kurse klinasit kanë shtatë fitore e dhjetë humbje.
Takimi më interesant i xhiros do të zhvillohet ndërmjet Istogut dhe New Basket. Istogasit kanë dhjetë fitore e shtatë humbje, kurse prizrenasit 11 fitore e gjashtë humbje. Pritet një sfidë rivalizuese duke marrë parasysh se të dy skuadrat synojnë Top 4.
Përballja e fundit e xhiros është mes Vushtrrisë dhe Marigona Hill Prishtinës. Vushtrriasit dhjetë fitore e shtatë humbje, kurse prishtinasit pesë fitore e 12 humbje.
Liga e Parë - Java 18
E mërkurë
16:00 Borea - Prishtina e RE
19:00 Feronikeli - Vëllaznimi
E premte
16:30 AS Prishtina - Happy Dukagjini
19:00 Istogu - NEW Basket
20:15 Vushtrria - Marigona Hill Prishtina