Prishtina i ka përfunduar garat e rregullta me 20 fitore në 20 ndeshje të zhvilluara, pa asnjë humbje. Skuadra prishtinase triumfoi në derbin e Superligës së Femrave, ndaj Penzës, me rezultat 85:79 (23:20, 28:20, 17:16, 17:23), ndërsa skuadra pejane përfundoi garat e rregullta me 15 fitore e pesë humbje, duke u renditur në vendin e dytë.
Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë dhe çereku i parë u karakterizua me shumë barazime në rezultat, ndërsa në fund një treshe e Agnesa Rrahmanit, bëri që kjo pjesë të përfundojë 23:20. Por, në periudhën e dytë, vendaset ishin më të mira, duke pasur epërsi deri në 17 pikë, 51:34, ndërsa pjesa e parë përfundoi me rezultat 51:40.
Perioda e tretë ishte e baraspeshuar, me skuadrën prishtinase që ruajti epërsinë dhe tentimet e skuadrës mysafire që tentoi të afrohet në rezultat, ndërsa shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 68:56. Në dhjetë minutat e fundit, bardhekaltret u shkëputën në 18 pikë, 76:58, kurse pejanet afruan rezultatin, por jo të bëjnë më shumë. Prishtina në fund triumfoi 85:79.
Te Prishtina u dalluan Stasha Carey me 18 pikë e 14 kërcime, Tynice Martin me 24 pikë e tetë kërcime dhe Diellza Dekaj me 15 pikë e 11 kërcime, kurse te Penza u dalluan Narlyn Mosquera me 22 pikë e shtatë kërcime, Valbona Bytyqi me 12 pikë e nëntë kërcime dhe Hilaire Kaela me 19 pikë e nëntë asistime.