Xhiroja e fundit apo e 20-ta në Superligën e Femrave do të sjellë derbin mes Prishtinës dhe Penzës, dy skuadra që u përballën të enjten në finalen e Ligës Unike te femrat, ku triumfuan vashat prishtinase 66:65.
Në elitën e basketbollit, vashat prishtinase kanë 19 fitore në po aq ndeshje të zhvilluara dhe do të mundohen të përfundojnë garat e rregullta pa asnjë humbje, kurse skuadra pejane ka 15 fitore e katër humbje.
Ndeshja tjetër zhvillohet ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit, dy skuadra që po ashtu kanë siguruar një vend në “Play-off”. Mitrovicaset kanë shtatë fitore e 12 humbje, ndërsa prizrenaset 12 fitore e shtatë humbje. Skuadra mitrovicase do të përfundojë në pozitën e katërt, kurse ajo prizrenase e treta. Edhe pse është xhiroja e fundit, tashmë janë përcaktuar çiftet gjysmëfinaliste të “Play-off”-it: Prishtina-Trepça dhe Penza-Bashkimi.
Në këtë xhiro përballen edhe Kastrioti-Vëllaznimi. Skuadra ferizajase ka 19 humbje në 19 ndeshje, ndërsa skuadra kuqezi katër fitore e 15 humbje.
Superliga e Femrave – Java 20
E shtunë
19:00 Prishtina - Penza
E diel
12:00 Kastrioti – Vëllaznimi
13:00 Trepça - Bashkimi