Më 23 dhe 24 Mars në Prishtinë do të zhvillohen gjysmëfinalet e Final 4 të Ligës Unike në konkurrencën e femrave.
Sfida e parë është Penza-Bashkimi. Skuadra pejane përfundoi garat e rregullta në vendin e parë më tetë fitore e dy humbje, kurse prizrenaset kishin pesë fitore e pesë humbje. Në Ligën Unike janë përballur dy herë dhe në dy përballjet fitore kanë shënuar vashat pejane, 77:57 dhe 78:80, ndërkohë një herë janë përballur në Kupën e Kosovës ku fituan vashat prizrenase, që e fituan këtë trofe. Ndërkohë, katër janë përballur në Superligën e Femrave në Kosovë, ku tri herë ka fituar Penza dhe një herë Bashkimi.
Gjysmëfinalja tjetër është Prishtina-Flamurtari, që përfunduan garat e rregullta me nga shtatë fitore e tri humbje. Këto dy skuadra janë ndeshur dy herë në garat e rregullta në Ligën Unike, ku një herë fituan vashat nga Vlora 64:57 dhe një herë vashat prishtinase 95:82. Të dy skuadrat shpresojnë të fitojnë për herë të parë trofeun e Ligës Unike.