Bashkimi ka shënuar fitore të lehtë ndaj Dritës me rezultat 103:67 (29:6, 23:23, 29:18, 22:20), në kuadër të xhiros së 21-të të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.
Vendasit e filluan për mrekulli ndeshjen, duke dominuar në mbrojtje dhe në sulm, ku që në fillim të përballjes krijuan epërsi të lartë dhe këtë epërsi e ruajtën dhe e menaxhuan deri në fund të lojës. Gjilanasit për gati nëntë minuta shënuan vetëm dy pikë, ndërsa çereku i parë përfundoi me shifrat 29:6. Periudha e dytë ishte tërësisht e barabartë 23:23, por që u kontrollua nga prizrenasit, që nuk lejuan epërsinë e tyre të shkrihej, ku pjesa e parë përfundoi me rezultat 52:29.
Loja më e mirë e basketbollistëve të Bashkimit vazhdoi në periudhën e tretë, ku sërish ishin më të mirë se bardhekaltrit. Ata rritën epërsinë minutë pas minute, kurse shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 81:47. Kjo mjaftoi për Bashkimin që të mos rrezikojë fitoren dhe të triumfojë me rezultat 103:67.
Te Bashkimi pesë basketbollistët shënuan pikë dyshifrore: John Florevus me 20 pikë e 11, kërcime, Corey Ross me 14 pikë e nëntë asistime, Alban Veseli me 17 pikë e 12 kërcime, Valon Bunjaku me 17 pikë dhe Julien Lewis me 12 pikë, kurse te Drita u dalluan Isaiah Johnson me 21 pikë e tetë kërcime dhe Qëndrim Demi me 19 pikë.
Bashkimi ka nëntë fitore e 12 humbje, kurse Drita 21 humbje në 21 ndeshje.