Ndeshja me Norvegjinë po afrohet dhe emocionet shtohen. Dardanët po përgatiten maksimalisht për këtë përballje shumë të rëndësishme.
Basketbollisti me përvojë i Kosovës, Drilon Hajrizi thotë se do të japin maksimumin. “Ajo që mund të premtojmë është se do të japim maksimumin në këtë ndeshje. Kemi ekip të mirë dhe përgatitjet kanë shkuar shumë mirë, që është shumë e rëndësishme. Besoj se mund të arrijmë një rezultat pozitiv”, është shprehur Hajrizi për faqen zyrtare të FBK-së.
Ndeshja do të zhvillohet në Mitrovicë, në vendlindjen e Hajrizit. “Tifozët gjithmonë na kanë përkrahur dhe besoj se kështu do të jetë edhe të dielën. Sporti, përkatësisht basketbolli luhet për tifozë. Jemi shumë të lumtur që do të kemi përkrahjen e tyre. Dardanët gjithmonë kanë krijuar atmosferë të jashtëzakonshme dhe ky është motivim i madh për ne, sidomos në momentet vendimtare të takimit”, shtoi tutje Hajrizi.
Në Grupin C, Kosova, Danimarka dhe Norvegjia kanë nga një fitore dhe një humbje. Dardanët kanë një fitore (ndaj Danimarkës 78:73) dhe një humbje (nga Norvegjia 86:77). Vendi i parë kualifikohet tutje dhe vendi i dytë më i mirë nga tri grupet parakualifikuese.
Kosova-Norvegjia zhvillohet të dielën nga ora 19:00 në Minatori të Mitrovicës.