Të martën (sot) ka filluar një projekt shumë i rëndësishëm për basketbollin e Kosovës, Junior NBA Kosova.
Me një ceremoni zyrtare është hedhur shorti për Junior NBA Kosova. 30 Shkolla Fillore të gjeneratës 11-14 vjeç janë ndarë në dy Konferenca, apo gjashtë Divizione. Tetë më të mirat e Konferencës kualifikohen në “Play-off” dhe më pas zhvillohet “Final Four”, ku shpallet skuadra kampione.
Hapjen e Draft Shortit, e ka bërë kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, i cili ka theksuar se ky është një projekt shumë me rëndësi për gjeneratat e reja, por edhe basketbollin e Kosovës, ndërsa shtoi se është i lumtur që edhe Kosova është pjesë e Ligës Junior NBA.
Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka përshëndetur fillimin e këtij projekti, për të theksuar se janë të lumtur që e mbështesin, ashtu si shumë projekte të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).
Ish basketbollisti i NBA-së, Jiri Welsch, ambasador i Junor NBA, ju ka drejtuar të pranishmëve me rëndësinë që ka Junior NBA dhe sa është e dobishme për basketbollin, ku shumë lojtarë mund të dalin dhe të jenë kyç për të ardhmen e basketbollit të Kosovës. Welsch nënvizoi se është shumë i kënaqur me mikpritjen që i është bërë dhe do të largohet me përshtypje shumë të mira për Kosovën.
Adrian Carrion përgjegjës i Junior NBA Kosova shtoi se për këtë projekt kanë biseduar para më shumë se dy viteve me drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe tashmë gjithçka po finalizohet, duke besuar se do të jetë një projekt shumë i rëndësishëm dhe i frytshëm për Kosovën.
Më pas është bërë hedhja e shortit, ku 30 Shkolla Fillore janë ndarë në Divizione e Konferenca, varësisht nga regjionet që janë.