Rahoveci ka shënuar fitore ndaj Dritës me rezultat 103:90 (26:29, 31:24, 25:18, 21:19), në kuadër të javës së 16-të të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.
Mysafirët i befasuan vendasit, duke e nisur ndeshjen më mirë dhe kishin epërsi deri në nëntë pikë, 6:15, kurse më pas rikthehen vendasit dhe zhvillohet një lojë më e barabartë, ndërsa çereku i parë përfundon 26:29. Vreshtarët në fillim të periudhës së dytë kaluan për herë të parë në epërsi, por gjilanasit nuk u dorëzuan dhe u zhvillua një lojë e barabartë tek rezultati 50:50, ndërsa rahovecasit shkuan në pushim me shifrat 57:53.
Lojë interesante u zhvillua edhe në periodën e tretë, me vendasit që shkëputeshin dhe mysafirët që afroheshin në rezultat, por në fund të kësaj pjese, Vreshtarët shkëputen në 14 pikë, 80:66, që ishte epërsia më e lartë e tyre, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 82:71. Bardhekaltrit tentuan përmbysjen e madhe dhe afruan rezultatin në 90:87, por nuk kishin më fuqi dhe Rahoveci triumfoi me rezultat 103:90.
Te Rahoveci u dalluan Milik Yarbough me 23 pikë, 11 kërcime, 10 asistime, Amer Jackson me 21 pikë e shtatë asistime, Tyheim Monroe me 21 pikë e shtatë kërcime, Fisnik Rugova me dhjetë pikë e dhjetë kërcime dhe Musab Mala me 18 pikë, ndërsa te Drita i jashtëzakonshëm ishte Isaiah Jonnson me 43 pikë, 17 kërcime dhe katër asistime, kurse kapiteni-trajneri Qëndrim Demi kontribuoi me 19 pikë.
Rahoveci ka katër fitore (prej tyre tri ndaj Dritës) dhe 11 humbje, kurse Drita ka 16 humbje në 16 ndeshje.