Sigal Prishtina ka fituar pa problem ndaj RC Cola Dritës me rezultat të thellë 105:53 (29:10, 31:18, 26:19, 19:6), në kuadër të javës së tetë të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.
Skuadra prishtinase ishte më e mirë nga fillimi deri në fund për të shënuar fitoren e katërt këtë edicion (ka edhe tri humbje), ndërsa gjilanasit mbeten skuadra e vetme në elitë pa fitore, duke regjistruar tetë humbje në tetë ndeshje.
Vendasit e filluan furishëm duke pasur 24 pikë epërsi në çerekun e parë, 28:4, ndërsa kjo pjesë përfundoi 29:10. Epërsinë e thelluan në periudhën e dytë, ku më e larta ishte 34 pikë, 58:24, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 60:28.
Kryeqytetasit nuk u ndalën as në periodën e tretë, ndërsa mysafirët nuk kishin zgjidhje për lojën e tyre. Kështu epërsia sa vinte e shtohej, ku shkoi deri në 42 pikë, 81:39, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 86:47. 10 minutat e fundit ishin vetëm formalitet, ku fituesi dihej, dhe ajo ishte Sigal Prishtina që triumfoi me rezultat 105:53.
Te Sigal Prishtina u dalluan Muhamedali Janjeva me 14 pikë e 10 kërcime, me 15 pikë e tetë kërcime, Meriton Ismaili me 22 pikë e gjashtë kërcime dhe Dachon Burke me 16 pikë, kurse te RC Cola Drita u dallua Isaiah Johson me 11 pikë e katër kërcime.