Penza e ka mundur në finale Prishtinën me rezultat 65:71 (28:21, 13:15, 11:21, 13:14), duke fituar Superkupën Mbarëkombëtare, që u organizua për herë të parë nga Liga Unike.
Skuadra e Prishtinës e nisi ndeshjen më mirë, duke pasur epërsi në çerekun e parë, ku më e larta ishte 28:19, derisa kjo pjesë përfundon me shifrat 28:21. Periudha e dytë ishte më e barabartë, ku edhe pse skuadra prishtinase kishte dhjetë pikë epërsi 39:29, vashat pejane ngushtojnë shifrat në 41:36, sa përfundoi pjesa e parë.
Penza e nisi më mirë pjesën e dytë, përkatësisht periodën e tretë, duke barazuar rezultatin në 48:48, si dhe të kalojë në epërsi, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 52:57. Skuadra pejane vazhdoi me lojë të mirë edhe në 10 minutat e fundit, duke ngritur epërsinë në 56:65, dhe arriti të menaxhojë lojën deri në fund, duke triumfuar me rezultat 65:71.
Rael Whitsitt u shpall MVP e Superkupës Mbarëkombëtare, ku në finale shënoi 21 pikë e 14 kërcime.
Kupën kapitenes së Penzës, Valbona Bytyqi ia dorëzoi kryetari i Bordit të Ligës Unike, Ilir Trebicka.