Më 4 dhe 5 Tetor në Pejë do të zhvillohet Superkupa e Femrave. Penza-Vëllaznimi dhe Prishtina-Bashkimi përballen të hënën, kurse të martën është finalja.
Prishtina dhe Bashkimi kanë pasur rivalitet në vitet e fundit për të gjithë trofetë në basketbollin e Kosovës. Basketbollistja e Prishtinës, Enxhi Xhanaj, ka folur para duelit ndaj vashave prizrenase.
“Ekipi ka formë të mirë dhe po bëhet kompakt çdo ditë e më shumë. Kemi një gjysmëfinale me një kundërshtar që ka treguar cilësi kohët e fundit në basketbollin e femrave, por ne jemi entuziast dhe optimist për ndeshjen dhe për Superkupën në përgjithësi, pasi ekipi është përgatitur me seriozitetin dhe vlerësimin e duhur”, është shprehur Xhanaj për faqen zyrtare të FBK-së.
Sipas saj, Prishtina edhe në këtë vit do të luftojë për trofe. “Ekipi i Prishtinës është formuar me mentalitet të fitores dhe ky vit nuk bënë përjashtim, pasi ky është synimi jonë. Është e rëndësishme që stafi dhe të gjitha lojtaret do të japin maksimumin në fushë”, nënvizoi basketbollistja nga Shqipëria.
Sfida Prishtina-Bashkimi zhvillohet të hënën nga ora 19:00.
Të gjitha ndeshjet transmetohet në ArtMotion dhe Kujtesa.