Kosova ka shënuar fitore bindëse ndaj Maltës 20:117 (5:36, 3:18, 6:30, 6:33), duke dominuar nga fillimi deri në fund për të filluar me fitore FIBA European Challenger, që po mbahet në Prishtinë.
Kosova e nisi për mrekulli ndeshje me një seri prej 7:0 dhe nuk u ndal për asnjë moment, duke aplikuar lojë agresive, ku minutë pas minute e thellonte epërsinë, derisa çereku i parë përfundon 5:36. Dardanët për asnjë minutë nuk u ndalën për të thelluar edhe më shumë epërsinë, kurse pjesa e parë përfundon 8:54.
Basketbollistët e rinj të Kosovës vazhduan me dominim të plotë si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm, ku epërsia sa vinte e thellohej, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 14:84. Dardanët nuk u ndalën as në 10 minutat e fundit për të shënuar fitore bindëse 20:117. Të gjithë basketbollistët e Kosovës u aktivizuan, ndërsa u dalluan Rron Dahsyla me 16 pikë e 12 kërcime, Drinor Gërxheliu me 21 pikë e pesë kërcime, Dren Kastrati me 14 pikë e 10 kërcime, Arlind Konjuhi me 13 pikë e pesë kërcime dhe Orges Shatri me 10 pikë e pesë kërcime.
Ndeshja e fundit për sonte është mes Moldavisë dhe Luksemburgut nga ora 20:00.