Basketbollistet e Kosovës A po vazhdojnë përgatitjet për garat ndërkombëtare. Kosova A te femrat për herë të parë do të garojë në arenën ndërkombëtare, ku do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla. Kampionati mbahet nga 20 deri më 25 Korrik në Qipro.
Qendra pejane, Saranda Daci ka folur për rëndësinë që ka formimi i Përfaqësueses A dhe pjesëmarrja në garat evropiane. “Jemi shumë të lumtura që jemi pjesë e Kosovës. Kemi një ekip të kombinuar me lojtare me përvojë, por edhe të reja, që të premtojnë shumë. Për shumë lojtare është një ëndërr e realizuar, sepse nuk kemi pasur mundësinë të garojmë më herët, pasi Kosova nuk ishte e pranuar. Për ne, është nder dhe krenari”, ka thënë Daci për faqen zyrtare të FBK-së.
Ajo foli edhe për rrjedhën e përgatitjeve. “Jemi duke u stërvitur maksimalisht dhe kemi zhvilluar një miqësore me Shqipërinë U20. Shpresoj se gjithçka do të shkojë sipas planit deri në fund”, shprehet tutje 28 vjeçarja.
Kosova është në grup me Qipron dhe Luksemburgun. “Ne shpresojmë në paraqitje të mira, sepse është hera e parë që luajmë në një ngjarje ndërkombëtare. Do të mundohemi të japim më të mirën tonë, pasi e dimë rëndësinë e pjesëmarrjes”, deklaroi Saranda Daci.