Sot (e premte) ka filluar Kampi “Hoop Girls”, që ka për qëllim promovimin e femrave në basketboll dhe roleve të ndryshme përmes të cilave ato kontribuojnë në zhvillimin e basketbollit dhe për të rritur pjesëmarrjen e femrave në basketboll.
Kampin e hapi, Edita Medunjanin, përgjegjësja e organizimit, e cila është shprehur se, vajzat jo vetëm që duhet të merren me basketboll, por edhe të vazhdojnë karrierën në sport, duke punuar si trajnere, gjyqtare, si administratore në klube dhe në strukturat udhëheqëse në klube. Ish basketbollistja e cila ka përfaqësuar Kosovën në garat ndërkombëtare nënvizoi se, është nder të përfaqësohet vendi në arenën ndërkombëtare, derisa Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) i kushton rëndësi të madhe femrave në basketboll, ku tani ka grupmoshat e reja, Kosovën 3x3 dhe Përfaqësuesen A. Ajo ftoi Sekretaren e Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushkun dhe Nënkryetaren e FBK-së, Linda Shala të tregojnë përvojat e tyre në basketboll, por edhe si lidere. Dushku ka treguar për karrierën e saj të suksesshme si basketbolliste, gazetare e sportit dhe tani si Sekretare e Përgjithshme e FBK-së. “Unë shpresoj se ju do të jeni edhe më të suksesshme. Nuk dua që të largoheni nga basketbolli. Sporti të ofron shumë mundësi dhe këtë mundësi e keni ju. Tashmë kemi edhe Përfaqësuesen A të femrave, një ëndërr që e kanë pasur shumë gjenerata. Në FBK ka vend për shumë nga ju. Nuk duhet të dorëzoheni asnjëherë në qëllimet e juaja”, është shprehur Dushku para basketbollisteve të Kosovës U20 dhe Kosovës A.
Ndërkohë, Shala gjatë bashkëbisedimit me lojtaret e Kosovës ka thënë se ato duhet të jenë lidere dhe të punojnë shumë në synimet që i kanë në jetë. “Të jesh pjesë e komunitetit të basketbollit ka përfitime të mëdha. Ju duhet të punoni shumë në synimet që i keni dhe të mos ndaleni asnjëherë. Duhet besuar në vlerat e juaja dhe të jeni krenare që po luani dhe po përfaqësoni Kosovën”, deklaroi nënkryetarja e FBK-së gjatë bisedës me basketbollistet e Kosovës.
Në ditën e dytë në program është vizita e Drejtorit të Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, i cili mbështet vajzat, së bashku me basketbollistin e Kosovës, Gëzim Morina dhe Anjesa Hazeraj, e cila do t’iu rrëfejë vajzave rreth karrierës së saj si gjyqtare.
Dita e dytë mbahet të shtunën nga ora 12:00 në Marigona Rezidencë.