Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku së bashku me Drejtorin Teknik, Arben Krasniqi dhe Komesarin e Garave, Faton Kurshumlija të mërkurën i kanë pritur në një takim pune përfaqësuesit e klubit të basketbollit Vitia.
Të pranishëm në këtë takim nga KB Vitia ishin, Bleon Haxhiu-kryetar, Art Hajdari -menaxher, Nehat Rexhepi -trajner dhe kapiteni - Aldrin Islami.
Zyrtarët e FBK-së i njoftuan përfaqësuesit e KB Vitia për përgatitjet për edicionin e ri të garave 2021/22 të cilat kanë filluar tashmë, për Klinikat për trajnerë të cilat do të organizohen në muajt në vazhdim, për Klinikat për trajnerë të Minibasketbollit, për programet zhvillimore të FBK-së, si dhe për kriteret e reja për licencim dhe garim në FBK që do të aplikohen nga edicioni i ri.
KB Vitia këtë vit është riaktivizuar sërish si klub, duke pasur në gjirin e saj basketbollistë dhe basketbolliste të të gjitha kategorive të reja, ndërsa FBK u zotua se do ta ndihmojë skuadrën në krijimin e kuadrove të reja të trajnerëve e administratorëve, gjithnjë në kuadër të kritereve të përcaktuara nga FBK.
KB Vitia pritet që në edicionin e ri të garoj në Ligën e Dytë të Meshkujve dhe në disa kategori të reja në të dyja konkurrencat.
FBK për fillim i dhuroi KB Vitia-s 10 topa të vajzave në kuadër të kampanjës së FIBA-s, Her World, Her Rules (Bota e Saj, Rregullat e Saj) dhe 10 topa të Minibasketbollit.