Sigal Prishtina ka shënuar fitore ndaj Trepçës me rezultat 94:76 (26:15, 27:16, 19:17, 22:28), në kuadër të javës së dytë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Prishtina e nisi ndeshjen më mirë, duke treguar nga fillimi se ka hyrë për fitore dhe fitoi çerekun e parë 26:15, derisa me lojë të mirë vazhdoi edhe në periudhën e dytë, duke fituar 27:16, për të shkuar në pushim me epërsi 53:31.
Epërsia e lartë që u krijua në pjesën e parë ishte e mjaftueshme për Prishtinën, që arriti të ruajë epërsinë e krijuar dhe të triumfojë në fund. Perioda e tretë ishte më e barabartë, 19:17, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 72:48. Në 10 minutat e fundit mysafirët ishin më të mirë, 22:28, megjithatë, Sigal Prishtina triumfoi me rezultat 94:76.
Pikë dyshifrore te Prishtina shënuan Arian Qallaku 14, Altin Morina 13, Meriton Ismaili 12, Fisnik Rugova 11, Dion Haxhosaj 11 dhe Arian Mehmeti 10, kurse te Trepça tre basketbollistë shënuan nga 14 pikë: Valdrin Haxhiu, Ramadan Zekiqi dhe Mojeed Ewuosho, kurse Kalin Fisher shtoi 13.
Sigal Prishtina ka një fitore dhe një humbje, ndërsa Trepça dy humbje në dy ndeshje.