27/11/2026
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, përkatësisht Drejtorinë për Sport, ka filluar realizimin e projektit “Topi im i Parë”, një iniciativë që synon t’i afrojë fëmijët me basketbollin që në moshë të hershme.
Aktiviteti i parë u zhvillua në Institucionin Parashkollor “Buzëqeshja”, ku fëmijët, përmes lojërave dhe ushtrimeve me elemente të basketbollit, patën mundësinë të njihen me këtë sport në një atmosferë të mbushur me energji, argëtim dhe buzëqeshje.
Projekti do të vazhdojë edhe në institucionet e tjera parashkollore të Prishtinës, duke u mundësuar fëmijëve të krijojnë përvojat e tyre të para me basketbollin.
Qëllimi i kësaj iniciative është masivizimi i basketbollit, promovimi i aktivitetit fizik, krijimi i shprehive të shëndetshme dhe ndërgjegjësimi për rëndësinë e sportit në zhvillimin fizik dhe social të fëmijëve.
Projekti “Topi im i Parë” është pjesë e Strategjisë së FBK-së 2026–2030, “Basketbolli 3.0”, e cila ndër prioritetet e saj ka masivizimin dhe zhvillimin e basketbollit nga baza.
Përmes iniciativave të tilla, FBK vazhdon angazhimin për krijimin e një kulture sportive që në fëmijërinë e hershme dhe ndërtimin e një lidhjeje afatgjatë ndërmjet gjeneratave të reja dhe basketbollit.