FBK organizon Festivalin “Her World, Her Rules” në Prizren

FBK organizon Festivalin “Her World, Her Rules” në Prizren

26/11/2026

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka organizuar Festivalin e Vajzave “Her World, Her Rules” në Prizren, në kuadër të promovimit dhe zhvillimit të basketbollit të vajzave në vend.

Në këtë aktivitet morën pjesë më shumë se 130 vajza nga shkollat fillore të Prizrenit, Pejës dhe Suharekës, duke i dhënë festivalit një karakter masiv dhe gjithëpërfshirës.

Festivali u zhvillua më 25 nëntor, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, duke ndërthurur sportin me mesazhe të rëndësishme për barazinë gjinore, respektin dhe krijimin e një ambienti të sigurt për vajzat.

Për më shumë se dy orë, pjesëmarrëset zhvilluan ushtrime të basketbollit, lojëra dhe aktivitete argëtuese, nën udhëheqjen e trajnerëve të përzgjedhur nga FBK-ja dhe arsimtarëve të shkollave pjesëmarrëse.

Përveç aspektit sportiv, një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe aspektit edukativ dhe ndërgjegjësues.

Në përmbyllje të aktivitetit, Vlora Braha, Zyrtare për Integritet (SPOC) në Federatën e Basketbollit të Kosovës, foli për bullizmin dhe ngacmimet, duke theksuar rëndësinë e parandalimit dhe raportimit të këtyre dukurive.

FBK, përmes organizimit të aktiviteteve të projektit “Her World, Her Rules”, synon të rrisë numrin e vajzave që merren me basketboll, të promovojë barazinë gjinore dhe të krijojë mundësi për zhvillimin e gjeneratave të reja në një ambient të sigurt dhe gjithëpërfshirës.

“Her World, Her Rules” është një nga programet më të mëdha dhe më të njohura të Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA) për zhvillimin e basketbollit të vajzave në nivelin bazë.

Projekti është iniciuar nga FIBA Europe në vitin 2018, ndërsa në mars të vitit 2021 është shtrirë në nivel global, duke u zbatuar në bashkëpunim me federatat kombëtare të basketbollit. Programi fokusohet kryesisht te vajzat e moshës 6–15 vjeç, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së tyre në basketboll, promovimin e modeleve frymëzuese nga basketbolli i grave dhe krijimin e mundësive për përfshirje të qëndrueshme në sport.

Programi do të vazhdojë edhe në qytetet dhe shkollat tjera.

 

 

‍

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Media Partners

Federation Sponsors

Official Technical Partner

Official Partners