FBK organizon takim me koordinatorët rajonalë për Identifikimin e Talentit dhe Zhvillimin Afatgjatë të Lojtarëve

FBK organizon takim me koordinatorët rajonalë për Identifikimin e Talentit dhe Zhvillimin Afatgjatë të Lojtarëve

24/11/2026

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka organizuar takim zyrtar me koordinatorët rajonalë, në kuadër të përgatitjeve finale për implementimin e Manualit për Identifikimin e Talentit dhe Zhvillimin Afatgjatë të Lojtarëve (LTAD), një nga projektet e rëndësishme të Strategjisë së FBK-së 2026–2030.

Në takim morën pjesë koordinatorët e rajoneve të Prishtinës (Shemsedin Bytyqi), Pejës (Hekuran Husaj), Mitrovicës (Ilir Selmani), Prizrenit (Edin Kerveshi) dhe Gjilanit (Gyltekin Selimi), ndërsa koordinatori i Gjakovës (Dorant Hana) mungoi për shkak të qëndrimit jashtë vendit.

Në takim ishin të pranishëm edhe Drejtori i Projekteve dhe Programeve Zhvillimore të FBK-së, Granit Rugova, Kryetari i Shoqatës së Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës, si dhe trajnerët e FBK-së, Jeton Nixha, Bujar Loci dhe Lorik Kllokoqi.

Gjatë takimit u diskutua për objektivat strategjike të FBK-së, përgjegjësitë e koordinatorëve rajonalë, plan-programin e punës dhe hapat konkretë për fillimin e aktiviteteve në gjashtë rajonet e Kosovës.

Fokusi kryesor i këtij programi është identifikimi i hershëm i talenteve, zhvillimi i tyre afatgjatë dhe krijimi i mundësive të barabarta për fëmijët dhe të rinjtë në të gjitha rajonet e Kosovës. Përmes një qasjeje të strukturuar, FBK synon të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm të zhvillimit të lojtarëve, duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet Federatës, klubeve, shkollave të basketbollit dhe trajnerëve.

Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe ndërlidhjes së programit LTAD me krijimin e Identitetit të Lojës së Përfaqësueseve të Kosovës. Synimi është që gjeneratat e reja të zhvillohen mbi parime të përbashkëta teknike, taktike dhe edukative, duke krijuar një vazhdimësi në mënyrën e përgatitjes së lojtarëve, nga grupmoshat më të reja deri te përfaqësueset kombëtare.

Koordinatorët rajonalë shprehën gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre për të kontribuar në realizimin e këtij projekti, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të sistemit të zhvillimit të basketbollit në Kosovë.

Në periudhën në vazhdim, FBK do të vazhdojë përgatitjet për fillimin e grumbullimeve dhe aktiviteteve rajonale, në bashkëpunim me klubet, trajnerët dhe institucionet përkatëse.

Përmes këtij projekti, FBK synon të krijojë një sistem ku talenti identifikohet me kohë, zhvillohet në mënyrë profesionale dhe përgatitet gradualisht për të qenë pjesë e së ardhmes së Përfaqësueseve të Kosovës.

‍

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Media Partners

Federation Sponsors

Official Technical Partner

Official Partners