21/11/2026
Peja do të jetë sërish në qendër të basketbollit evropian për grupmoshat e reja. Bordi i FIBA Europe ka miratuar organizatorët e Kampionateve Evropiane për të rinj për vitin 2027, duke konfirmuar se Kampionati Evropian U18 për Femra, Divizioni C, do të mbahet përsëri në Pejë, Kosovë.
Vendimi është marrë në mbledhjen e 11-të të Bordit të FIBA Europe, të mbajtur më 20 nëntor 2026 në Hamburg të Gjermanisë, nën drejtimin e presidentit të FIBA Europe, Jorge Garbajosa, ku mori pjesë edhe kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, si anëtar i Bordit.
Garat e Kampionatit Evropian U18 për Femra, Divizioni C, do të zhvillohen nga 20 deri më 25 korrik 2027, duke e kthyer Pejën për të dytin vit radhazi në nikoqire të kësaj ngjarjeje ndërkombëtare.
Peja ishte organizatore e këtij kampionati edhe gjatë verës së vitit 2026, kur Kosova përfundoi në vendin e tretë. Organizimi i një tjetër edicioni përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e basketbollit të femrave, zhvillimin e gjeneratave të reja dhe afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Kosova gjatë verës së ardhshme do të paraqitet me pesë grupmosha në arenën evropiane.
Kosova U20 meshkujt dhe U18 do të garojnë në Divizionin B, derisa U16 meshkujt në atë C.
Po ashtu në Divizionin C do të luajnë edhe Kosova U18 dhe U16 në konkurrencën e femrave.