08/11/2026
Bora ka shënuar fitore në udhëtim ndaj Vëllaznimit me rezultat 79:72, në kuadër të xhiros së tetë të ProCredit Superligës.
Ndeshja e zhvilluar në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë ishte e baraspeshuar deri në minutat e fundit. Dy minuta e 35 sekonda para përfundimit, rezultati ishte i barabartë 67:67, por Bora u tregua më e saktë në momentet vendimtare, duke realizuar 12 pikë kundrejt pesë të vendasve për të siguruar fitoren.
Rrezart Memedi ishte më efikasi te Bora me 20 pikë, ndërsa Laolu Oke regjistroi dyshifror të dyfishtë (double-double) me 16 pikë dhe 12 kërcime.
Te Vëllaznimi, Kentrell Pullian u dallua sërish, duke e përfunduar takimin me 24 pikë.
Kjo ishte fitorja e dytë e Borës ndaj Vëllaznimit këtë sezon, pas triumfit 90:67 në takimin e parë ndërmjet këtyre skuadrave të luajtur në Prishtinë në xhiron hapëse të sezonit.