02/11/2026
Basketbollisti i Trepçës, Drilon Hajrizi, është zgjedhur Lojtari i Javës së katërt në FIBA Europe Cup, pas paraqitjes së shkëlqyer në fitoren e kampionëve të Kosovës ndaj BC Batumi 2010 në Gjeorgji.
Hajrizi ishte një nga protagonistët kryesorë në triumfin e Trepçës me rezultat 91:70, duke përfunduar ndeshjen me 20 pikë, tetë kërcime dhe shtatë asistime, si dhe me indeks të efiçiencës 30.
Paraqitja e tij e gjithanshme ishte vendimtare në fitoren e skuadrës mitrovicase, e cila regjistroi triumfin e tretë radhazi në FIBA Europe Cup dhe të dytin si mysafire.
Përveç paraqitjes së shkëlqyer në parket, Hajrizi mori edhe mbështetje të jashtëzakonshme nga tifozët në votimin e organizuar nga FIBA Europe Cup, duke siguruar 86% të votave dhe duke u shpallur bindshëm Lojtari i Javës së katërt.