22/10/2026
Kampionia e Kosovës, Trepça, ka vazhduar me paraqitje të suksesshme në arenën ndërkombëtare, duke shënuar fitoren e dytë radhazi në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.
Mitrovicasit triumfuan në palestrën “Minatori” ndaj skuadrës çeke Opava, me rezultat 89:80, duke regjistruar një tjetër sukses të rëndësishëm në garën evropiane.
Pas fitores në udhëtim ndaj Splitit, mitrovicasit vazhduan serinë pozitive edhe para tifozëve të tyre, duke konfirmuar formën e mirë në këtë edicion të FIBA Europe Cup.
Te ‘Xehetarët’ u dalluan Shawn Jones me 19 pikë e dhjetë kërcime dhe JaCori Payne me 19 pikë.
Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për Trepçën në Grupin A, një rezultat që i jep skuadrës mitrovicase motivim shtesë për vazhdimin e garave ndërkombëtare.