13/10/2026
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka përmbyllur pjesëmarrjen në aktivitetin FIBA Europe U14 Get-Together 2026, i cili u zhvillua nga 9 deri më 11 tetor në Tallin të Estonisë, i organizuar nga FIBA Europe në bashkëpunim me Federatën Estoneze të Basketbollit.
FBK-ja në këtë aktivitet u përfaqësua nga Granit Rugova, dhe trajnerët Jeton Nixha dhe Zyrije Pireva.
Gjatë tri ditëve të aktivitetit, pjesëmarrësit patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja, njohuri dhe praktika profesionale lidhur me zhvillimin e basketbollit te gjeneratat e reja, me fokus të veçantë në përmirësimin e metodologjive të trajnimit dhe edukimin e trajnerëve.
Programi përfshiu klinika të FIBA-s, sesione teorike dhe praktike në parket, si dhe diskutime me ekspertë të basketbollit evropian. Në kuadër të aktivitetit u trajtuan tema të rëndësishme për zhvillimin afatgjatë të basketbollistëve të rinj dhe rëndësinë e krijimit të një mjedisi cilësor për edukimin e tyre sportiv.
Pjesë e programit ishte edhe prezantimi i Federatës Estoneze të Basketbollit, sesioni interaktiv i udhëhequr nga FIBA dhe diskutimi panel me ekspertë të fushës. Folës kryesor i aktivitetit ishte Dejan Cikiq nga Sllovenia.
Bashkëpunimi në kuadër të projektit Hoops4Schools
Një tjetër pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte takimi i parë i FIBA-s me partnerët fitues të projektit Hoops4Schools, i cili shënon një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit dhe koordinimit për realizimin e këtij projekti zhvillimor.
Pjesëmarrja në FIBA Europe U14 Get-Together 2026 përbën një përvojë të vlefshme për përfaqësuesit e FBK-së, duke kontribuar në zgjerimin e njohurive profesionale, shkëmbimin e praktikave me federatat evropiane dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Federata e Basketbollit e Kosovës mbetet e përkushtuar në zhvillimin e gjeneratave të reja, ngritjen profesionale të trajnerëve dhe zbatimin e programeve afatgjata që synojnë avancimin e basketbollit në Kosovë.