08/10/2026
Gjyqtarja Jeta Zeka, ka pranuar për herë të parë nominimin për të ndarë drejtësinë në garat evropiane të klubeve të organizuara nga FIBA, përkatësisht në FIBA EuroCup Women.
Ky nominim përfaqëson një hap të rëndësishëm në karrierën e gjyqtares kosovare, si dhe një tjetër moment pozitiv për gjyqtarët e basketbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke qenë e para nga Kosova që do të gjykojë në basketbollin evropian.
Zeka është nominuar për dy ndeshje të FIBA EuroCup Women, të cilat do të zhvillohen në Itali.
Më 14 tetor 2026, ajo do të ndajë drejtësinë në përballjen ndërmjet Magnolia Basket Campobasso dhe Cinkarna Celje, që zhvillohet në Campobasso të Italisë.
Ndërkohë, më 21 tetor 2026, gjyqtarja nga Peja do të jetë pjesë e ndeshjes ndërmjet GEAS Basket SSDRL dhe Panathinaikos A.C., që zhvillohet në Milano.
Nominimi i Jeta Zekës në këtë nivel të garave ndërkombëtare është një vlerësim i rëndësishëm për punën dhe përkushtimin e saj, si dhe dëshmi e avancimit të gjyqtarëve kosovarë në basketbollin evropian.