01/10/2026
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) më 4 tetor 2026 do të organizojë takimin e përbashkët të trajnerëve dhe referëve, me fokus në ndryshimet dhe risitë në Rregullat e Basketbollit dhe Propozicionet e Garave për Gjeneratat e Reja për edicionin e ri garues.
Takimi do të zhvillohet në Hotel Prishtina, nga ora 11:00 me pjesëmarrjen e trajnerëve dhe referëve nga Kosova.
Takimin do ta hapë Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ndërsa më pas Granit Rugova, Drejtor i Projekteve dhe Programeve Zhvillimore, do t'i njoftojë pjesëmarrësit me qëllimin dhe mbarëvajtjen e takimit.
Pjesa kryesore do t'i kushtohet prezantimit dhe diskutimit mbi ndryshimet dhe risitë në Rregullat e Basketbollit dhe në Propozicionet e Garave për Gjeneratat e Reja për edicionin e ri garues.
Këtë pjesë do ta udhëheqë Xhelal Munini, Komesar i Garave për Kategoritë e Reja, me synim që trajnerët dhe referët të informohen dhe të diskutojnë së bashku çështjet që lidhen me zbatimin e rregullave dhe organizimin e garave për kategoritë e reja.
Një pjesë e veçantë e takimit do t'i kushtohet temës “Safeguarding - Mbrojtja dhe mirëqenia në basketboll”, e cila do të prezantohet nga Vlora Braha, Zyrtare për Integritet në Federatën e Basketbollit të Kosovës.
Përmes kësaj teme do të theksohet rëndësia e krijimit të një ambienti të sigurt, gjithëpërfshirës dhe me respekt në basketboll, si dhe përgjegjësia e të gjithë aktorëve për mbrojtjen dhe mirëqenien e pjesëmarrësve në sport.
Takimi synon të forcojë bashkëpunimin dhe komunikimin ndërmjet trajnerëve, referëve dhe strukturave të FBK-së, si dhe të sigurojë një qasje sa më të unifikuar në zbatimin e rregullave dhe standardeve gjatë edicionit të ri garues.