29/09/2026
KB Bashkimi është fitues i ProCredit Superkupës së Kosovës, pasi në një finale dramatike mposhti Trepçën me rezultat 103:93 pas vazhdimeve.
Ndeshja ishte tejet e ngushtë dhe e luftuar nga fillimi deri në fund, me dy skuadrat që nuk lejuan shkëputje të ndjeshme në rezultat. Lufta e pakompromis në parket bëri që koha e rregullt të përfundonte me rezultat të barabartë, 87:87.
Çastet e fundit të kohës së rregullt sollën edhe momentet më spektakolare të finales. Shannon Shorter realizoi nga distanca për epërsinë 87:84 të Bashkimit, duke krijuar përshtypjen se prizrenasit ishin shumë pranë trofeut.
Megjithatë, Dardan Kapiti kishte plane të tjera. Me vetëm 1.6 sekonda të mbetura, ai realizoi një trepikësh spektakolar nga gjysma e fushës për të barazuar rezultatin në 87:87 dhe për t’ia dhënë Trepçës mundësinë që ndeshjen ta dërgonte në vazhdime.
Në pesë minutat shtesë, Bashkimi u tregua skuadër më e mirë. Prizrenasit morën kontrollin e ndeshjes dhe në fund triumfuan 103:93, duke fituar për herë të parë në historinë e klubit trofeun e Superkupës së Kosovës.
Shannon Shorter u shpall MVP i ProCredit Superkupës së Kosovës, pas një paraqitjeje të shkëlqyer me 23 pikë, 13 kërcime dhe katër asistime.
Me këtë triumf, Bashkimi shkruan një kapitull të ri në historinë e klubit duke shtuar për herë të parë trofeun e Superkupës në koleksionin e tij.