FBK vazhdon fuqizimin e strukturës profesionale: Nixha, Loci dhe Kllokoqi me role të rëndësishme

FBK vazhdon fuqizimin e strukturës profesionale: Nixha, Loci dhe Kllokoqi me role të rëndësishme

24/09/2026

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), në kuadër të zbatimit të Planit Strategjik 2026–2030, vazhdon fuqizimin e strukturës profesionale me fokus të veçantë në identifikimin dhe zhvillimin e talenteve, edukimin e trajnerëve, zgjerimin e komunitetit të basketbollit dhe fuqizimin e Përfaqësueseve të Kosovës.

Në këtë drejtim, Jeton Nixha është angazhuar në pozitën e Koordinatorit të Projektit për Identifikimin dhe Zhvillimin e Talenteve, ndërsa Bujar Loci dhe Lorik Kllokoqi janë angazhuar si trajnerë në Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Identifikimi dhe zhvillimi afatgjatë i talenteve përbën një nga shtyllat kryesore të Planit Strategjik të FBK-së 2026-2030. Në rolin e tij, Nixha do të koordinojë zbatimin e projektit në nivel kombëtar, duke bashkëpunuar me koordinatorët rajonalë, klubet dhe trajnerët në procesin e identifikimit, vlerësimit, monitorimit dhe zhvillimit të lojtarëve të rinj.

Pjesë e përgjegjësive të tij do të jetë edhe koordinimi i grumbullimeve dhe aktiviteteve zhvillimore, monitorimi i progresit të talenteve, mirëmbajtja e bazës së të dhënave, si dhe harmonizimi i planeve dhe përmbajtjes së stërvitjeve sipas metodologjisë dhe standardeve të përcaktuara nga FBK-ja. Ai gjithashtu do të kontribuojë në edukimin dhe zhvillimin e trajnerëve që punojnë me gjeneratat e reja, në koordinim me strukturat përkatëse të FBK-së dhe SHTBK-në.

Ndërkohë, Bujar Loci dhe Lorik Kllokoqi, në rolin e trajnerëve të FBK-së, do të kenë një angazhim të gjerë profesional dhe operacional, si në zyrat e Federatës, ashtu edhe në terren, përfshirë vizitat në klube dhe shkolla, ndjekjen e ndeshjeve, organizimin dhe pjesëmarrjen në kampe, seminare, turne dhe aktivitete të tjera profesionale.

Puna e tyre do të jetë e lidhur drejtpërdrejt me realizimin e pesë objektivave kyçe të Planit Strategjik 2026–2030: krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të edukimit dhe zhvillimit profesional të trajnerëve, zgjerimin e komunitetit të basketbollit, rritjen e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave, fuqizimin e Përfaqësueseve të Kosovës dhe ndërtimin e një programi të strukturuar për zhvillimin e talenteve.

Në kuadër të këtyre objektivave parashihet zhvillimi i sistemit kombëtar të edukimit dhe licencimit të trajnerëve, avancimi i Mini Basketbollit dhe programeve gjithëpërfshirëse, mbështetja e basketbollit të vajzave dhe grave, identifikimi i lojtarëve të rinj në Kosovë dhe diasporë, si dhe organizimi i kampeve kombëtare dhe rajonale për zhvillimin e talenteve.

Angazhimi i strukturës profesionale do të realizohet në koordinim të vazhdueshëm me departamentet dhe strukturat përkatëse të FBK-së, duke zbatuar metodologji të përbashkëta, standardet e FIBA-s dhe objektivat e përcaktuara në Planin Strategjik.

Përmes këtyre angazhimeve, FBK synon të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm dhe të standardizuar të zhvillimit të basketbollit, nga identifikimi i talenteve dhe edukimi i trajnerëve deri te zhvillimi i lojtarëve dhe fuqizimi i Përfaqësueseve të Kosovës.

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Media Partners

Federation Sponsors

Official Technical Partner

Official Partners