21/08/2026
Në përputhje me kompetencat e Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) që rrjedhin nga Statuti i FBK-së, përkatësisht neni 24, si dhe në bazë të Rregullores për Licencim të Klubeve në FBK, duke marrë parasysh përfundimin e periudhës së rregullt të licencimit për edicionin garues 2026/27, e cila është zhvilluar nga data 5 deri më 14 gusht 2026, si dhe bazuar në raportin e përfundimit të kësaj periudhe, i cili ka evidentuar një numër tejet të kufizuar të klubeve që kanë përmbushur dhe dorëzuar dokumentacionin e plotë të kërkuar për licencim, Bordi i FBK-së vendosi si në vijim:
Shtyhet afati për përfundimin e procesit të licencimit të klubeve për edicionin garues 2026/27 deri më 26 gusht 2026.
Afati i përcaktuar në pikën 1 të këtij Vendimi është afati përfundimtar dhe i pakthyeshëm. Pas datës 26 gusht 2026, FBK nuk do të aprovojë asnjë kërkesë për shtyrje të mëtejshme të afatit, pavarësisht arsyeve të paraqitura nga klubet.
Të gjitha klubet janë të obliguara që deri më 26 gusht 2026 të përfundojnë tërësisht procedurën e licencimit dhe të dorëzojnë të gjitha dokumentet dhe dëshmitë e kërkuara sipas Rregullores për Licencim të Klubeve dhe kërkesave të platformës së licencimit.
Mosplotësimi i kritereve dhe moskompletimi i dokumentacionit të kërkuar deri në përfundimin e afatit të përcaktuar do të trajtohet në përputhje me Rregulloren për Licencim të Klubeve në FBK. Në pajtim me nenin 2 të kësaj Rregulloreje, organizata sportive që nuk pajiset me licencë nuk mund të ushtrojë të drejtën e pjesëmarrjes në garat e basketbollit dhe nuk do t’i lëshohet asnjë vërtetim, konfirmim apo dokument zyrtar nga FBK për çfarëdo qëllimi.
Vendimi për afatin kalimtar
Shtyhet afati kalimtar veror në të gjitha garat e FBK-së për edicionin garues 2026/27 deri më 28 gusht 2026.
Shtyrja e afatit kalimtar bëhet me qëllim të harmonizimit të tij me afatin e ri të procesit të licencimit të klubeve dhe për t’u mundësuar klubeve, pas përfundimit të obligimeve të licencimit, të kompletojnë procedurat për regjistrimin e lojtarëve.
Të gjitha klubet obligohen që procedurat për regjistrimin dhe transferimin e lojtarëve t’i përfundojnë brenda afatit të përcaktuar në pikën i të këtij Vendimi.