17/08/2026
Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Drejtori i Përfaqësueseve, Adriatik Rraci, ka diplomuar me sukses në programin FIBA NXT Leaders, duke përmbyllur një program të rëndësishëm ndërkombëtar për zhvillimin e liderëve në basketboll.
Rraci ishte një nga 25 pjesëmarrësit e përzgjedhur nga më shumë se 50 kandidatë nga e gjithë bota, në programin e organizuar nga FIBA dhe të dedikuar për liderët aktualë dhe ata në zhvillim në basketboll.Programi nisi me sesionin e parë në Doha të Katarit, nga 8 deri më 11 dhjetor 2025, ku u trajtuan tema si modelet evropiane dhe veri-amerikane të sportit, evolucioni i ligave të basketbollit, ekipet kombëtare, FIBA 3x3, eFIBA dhe organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare.
Sesioni i dytë u zhvillua në Majami të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga 10 deri më 13 mars 2026. Gjatë tij, pjesëmarrësit u fokusuan në marketingun digjital, përvojën e tifozëve, strategjitë e biletave, mikpritjen, merchandisingun, sponsorizimet dhe të drejtat mediatike, derisa sesioni i fundit u zhvillua në Zvicër.
Në ceremoninë e diplomimit, Adriatik Rraci pranoi certifikatën nga Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis, duke përmbyllur me sukses programin FIBA NXT Leaders.
Diplomimi i Rracit paraqet një tjetër hap të rëndësishëm në ngritjen profesionale të stafit të FBK-së dhe në përfaqësimin e basketbollit të Kosovës në programet ndërkombëtare të FIBA-s.