16/08/2026
Me aktivitetet e ditës së tretë dhe të fundit është përmbyllur të dielën Klinika Kombëtare për Trajnerë 2026, e organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), në bashkëpunim me FIBA-n dhe Shoqatën e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK).
Dita e fundit e Klinikës nisi me ligjëratën e Arben Krasniqit, i cili trajtoi temën “Parimet e sulmit të vazhdueshëm (‘Motion’) me Pick and Roll”, përmes pjesës teorike dhe praktike.
Programi vazhdoi me Elbesar Gështenjën, i cili ligjëroi mbi “Skautimin Modern në Basketboll: Analiza e Sulmit, Mbrojtjes dhe Individual”, duke ndarë me trajnerët njohuri dhe qasje bashkëkohore rreth analizës dhe skautimit në basketboll.
Në përfundim të programit u bë edhe ndarja e certifikatave për pjesëmarrësit, duke shënuar kështu mbylljen e Klinikës Kombëtare për Trajnerë 2026.
Përgjatë tri ditëve, trajnerët patën mundësi të ndjekin ligjërata teorike dhe praktike nga Marius Huth, Arben Krasniqi, Elbesar Gështenja dhe Granit Rugova, me fokus në MiniBasketboll, zhvillimin afatgjatë të basketbollistëve të rinj, planifikimin stërvitor, basketbollin e të rinjve, bashkëpunimin sulmues, “Motion” me Pick and Roll dhe skautimin modern.
Në kuadër të Klinikës u prezantuan gjithashtu Manuali i Identifikimit të Talenteve dhe Zhvillimit Afatgjatë të Lojtarëve (LTAD), i përgatitur nga FBK.
Klinika Kombëtare për Trajnerë 2026 ishte një mundësi e rëndësishme për avancimin profesional të trajnerëve, shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe përvetësimin e metodave bashkëkohore të punës me basketbollistët, veçanërisht me gjeneratat e reja.
Organizimi i kësaj Klinike është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të FBK-së për zhvillimin dhe ngritjen profesionale të trajnerëve, si një prej elementeve kyçe për zhvillimin afatgjatë të basketbollit në Kosovë.