14/08/2026
Ka përfunduar me sukses Kampi Nacional 2026, i organizuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) në ambientet e Kolegjit “Loyola” në Prizren.
Kampi, i cili u zhvillua nga 10 deri më 14 gusht, mblodhi basketbollistët dhe basketbollistet e rinj të përzgjedhur pas procesit të grumbullimeve rajonale, duke u ofruar atyre mundësinë të punojnë dhe të zhvillohen nën drejtimin e trajnerëve të angazhuar nga FBK.
Gjatë pesë ditëve të kampit 25 djem dhe 25 vajza ishin pjesë e një programi intensiv me stërvitje, aktivitete edukative dhe aktivitete të tjera të planifikuara, me fokus në zhvillimin e tyre teknik, fizik dhe personal.
Kampi Nacional ishte faza përmbyllëse e projektit të FBK-së për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të reja, i cili paraprakisht përfshiu grumbullime rajonale në Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Pejë dhe Prishtinë.
Ky projekt është pjesë e Planit Strategjik të Federatës së Basketbollit të Kosovës, ku zhvillimi i gjeneratave të reja dhe krijimi i një sistemi të qëndrueshëm për identifikimin dhe avancimin e talenteve përbëjnë një nga shtyllat kryesore.
Përmes Kampit Nacional, FBK synon që talentet e identifikuara të përcillen dhe të zhvillohen në vazhdimësi, duke krijuar bazën për gjeneratat e ardhshme të basketbollit të Kosovës.
Fëmijët e përzgjedhur do të jenë pjesë e Kosovës në turneun e FIBA YDF-së.