Ligjëruesit në Klinikën Kombëtare për Trajnerë 2026

Ligjëruesit në Klinikën Kombëtare për Trajnerë 2026

13/08/2026

Nga 14 deri më 16 gusht do të mbahet Klinika Kombëtare për Trajnerë 2026, e organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), në bashkëpunim me FIBA-n dhe Shoqatën e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK).

Klinika zhvillohet në Marigona Residence, përkatësisht në “Hotel Sheraton” dhe Palestrën “ISP”.

Ndërkohë, Granit Rugova, Drejtor i Projekteve dhe Programeve Zhvillimore në Federatën e Basketbollit të Kosovës do të bëjë Prezantimin e Manualit të Identifikimit të Talenteve dhe Zhvillimit Afatgjatë të Lojtarëve (LTAD) dhe Manualit të MiniBasketbollit.

Lista e ligjëruesve

Marius Huth - FIBA WABC Instruktor | ALBA Berlin | Germany

Marius Huth është një nga ekspertët më të njohur të zhvillimit të basketbollit të të rinjve në Gjermani. Që nga viti 2005 është pjesë e programit të të rinjve të ALBA Berlin, ku shërben si trajner i ekipit U19, si dhe drejtues i programit të MiniBasketbollit dhe U14. Që nga viti 2013, Huth është pjesë e stafit teknik të Përfaqësueses së Gjermanisë për grupmoshat e reja, duke ushtruar detyrën e trajnerit kryesor dhe ndihmës-trajnerit. Ai ka kontribuar në sukseset ndërkombëtare të Gjermanisë, duke fituar titullin Kampion i Evropës U18 në vitin 2024 dhe vendin e dytë në Kampionatin Botëror U19 në vitin 2025, si ndihmës-trajner. Përveç punës në terren, Marius Huth është edhe ligjërues i FIBA-s në programin FIBA Europe Mini Basketball Coaching Course (FEMBCC), ku trajnon dhe edukon trajnerë nga vende të ndryshme të Evropës. Ai njihet për ekspertizën e tij në zhvillimin e lojtarëve të rinj, metodologjinë moderne të stërvitjes dhe MiniBasketbollin.

Arben Krasniqi – trajner

Arben Krasniqi është një nga trajnerët më me përvojë në basketbollin kosovar, me mbi 25 vjet angazhim në zhvillimin e basketbollit në nivel të të rinjve, seniorëve dhe përfaqësueseve kombëtare. Ai ka shërbyer si Drejtor Teknik i Federatës së Basketbollit të Kosovës (2020–2024), duke udhëhequr programet e edukimit të trajnerëve dhe zhvillimit të lojtarëve, ndërsa më parë ka qenë trajner i Përfaqësueses së Kosovës, trajner i Sigal Prishtinës, Golden Eagle Yllit, BC Bora dhe Al Hilal në Arabinë Saudite. Gjatë karrierës së tij ka fituar disa tituj kampioni dhe kupa në Kosovë, si dhe ka udhëhequr ekipet në garat ndërkombëtare. Arben Krasniqi është gjithashtu ligjërues dhe organizator i klinikave ndërkombëtare për trajnerë, përkthyes i manualeve të FIBA WABC në gjuhën shqipe dhe ka ndjekur mbi 50 klinika dhe kurse ndërkombëtare në Evropë. Ai ka përfunduar studimet pasuniversitare në Basketball Coaching Science në University of Worcester (Mbretëria e Bashkuar) dhe njihet për ekspertizën e tij në edukimin e trajnerëve, metodologjinë e stërvitjes dhe zhvillimin afatgjatë të lojtarëve.

Elbesar Geshtenja - trajner

Elbesar Geshtenja është trajner dhe skaut i basketbollit, i angazhuar në zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe analizën e performancës. Aktualisht është ndihmës-trajner dhe skaut i ekipit senior të KB Bashkimi, si dhe trajner i ekipit U18 të klubit. Në nivel kombëtar, ai është pjesë e stafit teknik të Përfaqësueses U16 të Kosovës si ndihmës-trajner, ndërsa më parë ka qenë edhe pjesë e Përfaqësueses U18. Elbesari është i diplomuar në Edukim Sportiv dhe ka përfunduar International Coaching Course në Universitetin Hungarez të Shkencave Sportive (HUSS) në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Ai zotëron njohuri të avancuara në skautimin modern, analizën e videos dhe përdorimin e platformave profesionale si FastScout dhe FastDraw, duke kontribuar në zhvillimin teknik e taktik të basketbollit në Kosovë.

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Media Partners

Federation Sponsors

Official Technical Partner

Official Partners