09/08/2026
Federata e Basketbollit e Kosovës fton të gjitha mediat të vizitojnë Kampin Nacional 2026, i cili do të mbahet nga 10 deri më 14 gusht 2026 në Kolegjin Loyola në Prizren.
Kampi Nacional mbledh 50 vajzat dhe djemtë më premtues të basketbollit në Kosovë, të përzgjedhur pas grumbullimeve rajonale dhe testimeve finale, duke u ofruar mundësinë të zhvillojnë aftësitë e tyre nën udhëheqjen e trajnerëve të angazhuar nga FBK.
Gjatë pesë ditëve të kampit, mediat do të kenë mundësi të ndjekin nga afër stërvitjet, aktivitetet zhvillimore dhe punën që realizohet me talentet e rinj të basketbollit kosovar, si dhe të realizojnë intervista me pjesëmarrësit, trajnerët dhe zyrtarët e Federatës.
Ky kamp përfaqëson një nga projektet më të rëndësishme zhvillimore të FBK-së, duke krijuar mundësi për identifikimin, edukimin dhe avancimin e brezit të ri të basketbollistëve dhe basketbollisteve në Kosovë.
Për koordinimin e vizitës, organizimin e intervistave apo për informata shtesë rreth kampit, mediat mund të dërgojnë pyetjet e tyre në adresën elektronike: communications@basketbolli.com.